Një foto familjare, e ndarë publikisht nga Albin Kurti për t’i uruar qytetarëve Vitin e Ri, shkrepur në vitin 2021…
Në dhjetor të vitit 2024, z. Baton Haxhiu e përdor këtë foto si pretekst për të shkruar një artikull të tërë, tre vjet më vonë, duke e trajtuar dhe stërholluar rëndësinë e saj. Artikulli ndërtohet mbi disa premisa filozofike dhe vëzhgime politike – të cilat, më duhet të them, janë shumë të liga dhe të dobëta.
Që në fillim dua që të mos keqkuptohemi – nuk po i shkruaj këto rreshta për të mbrojtur kryeministrin Kurti.
Kjo ka të bëjë më shumë me mënyrën sesi shoqëria jonë, gazetarët, mendimtarët dhe analistët tanë, përpiqen të konceptualizojnë sulmet kundër kundërshtarëve të tyre – duke përdorur çdo mjet të mundshëm për të arritur qëllimin, për sa kohë që kjo i sjell disa pikë dëmtuese ndaj kundërshtarit.
Sidomos kur jemi pranë zgjedhjeve.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një histori të bazuar në një fotografi të thjeshtë, të shkrepur ‘vetëm’ tre vjet më parë. Për të kuptuar sa e dobët është kjo premisë dhe gjithë ndërtimi i këtij artikulli, duhet të shtrojmë pyetjen logjike:
A i janë dashur z. Haxhiu tre vjet për të shkruar këtë artikull?
Nëse po, atëherë kjo është me të vërtet më ardhë shumë keq.
Por, nga ana tjetër, nëse z. Haxhiu po përdor thjesht një fotografi të shkrepur tre vjet më parë për të shkruar një artikull kundër kryeministrit Kurti tani, në kohën e tashme – në prezent; dhe madje për t’i dhënë një frymë filozofike, atëherë kjo është edhe më keq.
Artikulli është i mbushur me gjysmë të vërteta dhe sulme personale të pabazuara, siç mund të shihni më poshtë:
1. Teprim në interpretimin e një fotoje familjare
Një foto familjare interpretohet si “simbol i distancës” dhe përdoret për të nxjerrë pretendime të gjera dhe spekulative mbi jetën personale të Kurtit dhe lidhjen e tij me publikun.
2. Kritika ndaj martesës së Kurtit
Artikulli risjell një histori të vjetër për konsultimin e Kurtit me partinë para martesës – (me të vërtetë, a ka ndodhur kjo apo është vetëm spekulim?) – duke e paraqitur si një shenjë pasigurie ose varësie nga opinioni publik, një sulm i pabazë dhe i panevojshëm.
3. Shënjestrimi i gruas së Kurtit
Rita kritikohet për mungesën e saj të dukshme në Kosovë, ndërsa zgjedhja e saj për të jetuar jashtë interpretohet si “krijimi i një boshllëku simbolik.” Kjo i mohon autonominë dhe padrejtësisht i atribuon faj për perceptimin publik.
4. Kritika ndaj zgjedhjeve prindërore
Vendimi për të edukuar vajzën e tyre në Norvegji interpretohet si tradhti ndaj sistemit arsimor të Kosovës – një zgjedhje personale që hiperbolizohet në mënyrë të padrejtë si një deklaratë politike.
5. Standarde të dyfishta
Kurti kritikohet për veprime të ngjashme me ato që ka kritikuar më parë, por pa marrë parasysh rrethanat, duke zbatuar një qasje morale të tepruar për zgjedhje private.
6. Padyshimësi kulturore
Artikulli sugjeron se martesa me një grua “të huaj” përfaqëson një shkëputje nga Kosova, duke përforcuar paragjykime të mbyllura dhe retorikë përçarëse – një argument që është në kufijtë e racizmit.
7. Spekulime të pabaza
Pretendimi se largësia e Ritës pasqyron një mospërputhje mes saj dhe Kosovës është spekulim i pastër, pa asnjë fakt mbështetës.
8. Gjuhë emocionale dhe teprime retorike
Përdorimi i frazave si “simbol i shkëputjes” dhe “dështim për të mishëruar shpresat publike” është tepër dramatik dhe pa bazë konkrete.
9. Reduktim i tepruar
Artikulli redukton udhëheqjen e Kurtit në zgjedhjet e tij personale, duke injoruar ndikimin më të gjerë politik dhe qeverisës.
10. Përfundime të bazuara në supozime
Përfundimi se Kurti ka humbur besimin publik për shkak të jetës së tij familjare nuk mbështetet me prova të besueshme, duke e bërë artikullin provokues dhe të pavend.
Ky shkrim i imi nuk është për të i dal në mbrojtje z. Kurti sikur se që ë nuk është për të poshtëruar apo dis-respektuar z. Haxhiu.
Mund të mos biem dakord, por shpresojmë të diskutojmë me respekt. Tjshtë, kjo është një përpjekje për të mbajtur llogaridhënës figurat tona publike dhe kolegët tanë gazetarë. Shpresoj që, ndoshta, herën tjetër të mos bien kaq poshtë. Di nga punët e tij të mëparshme se ai është i aftë për më shumë. Nuk mund të lejojmë që antipatia, ose më keq, urrejtja ndaj kundërshtarëve politikë të dëmtojë kaq shumë cilësinë e shkrimeve tona – edhe kur bëhet fjalë për të kritikuar ata në pushtet.
